Koha,
koncept i prishur në oren time
që nuk funksionon,
në rutinën e shkurton
e në të lodhshmen që e zgjat
Në diellin që e bën të jetueshme
e në shiun që e vajton
Në të miren që e shpall fatsjellës
e në të keqen që e mallkon
Koha,
një e panjohur që nuk ka faj,
që ka emër por nuk ka fytyrë
që jeton por nuk ka vullnet,
që nuk arriti kurrë të njohë vetveten
e të tjerë thonë se e njohin
në koncepte abstrakte sa vetë ajo:
në të kaluarën që nuk kaloi kurrë
në të ardhmen që e tashmja nuk e lë të vijë
Në njeriun që duket se është këtu
por thotë se gjendet atje
kur në të vërtetë është diku tjetër
Në matësit që ecin pa e ditur se ku do shkojnë
që ndalen kur nuk kanë më forcë
që nisen kur ndoshta nuk dëshirojnë
që takojnë numra që për ta janë njësoj
që përcaktojnë dikë që akoma nuk kanë kuptuar
vallë, egziston apo nuk egziston
e vazhdojnë t'i japin hua emrin e tyre
dikujt që një emër i shkretë nuk iu gjend dot.
Nessun commento:
Posta un commento